"Sezai Surroi" me drejtues të ri
(e premte)
Shkolla e mesme “Sezai Surroi” sot ka zgjedhur udhëheqësin e ri të këtij institucioni arsimor.
Këshilli i shkollës në mbledhjen e mbajtur me fillim në orën 11h, në postin e ushtruesit të detyrës (u.d.) së kësaj shkolle ka emëruar për një afat gjashtë mujor ish drejtorin Xhevat Fejzullahun i cili “Sezai Surroin” e kishte drejtuar edhe më herët për një mandat të plotë, ku më pas ishte pasuar nga drejtori Ilmi Ibrahimi dhe ushtruesi i detyrës Zejni Fejzullahu.
Ky i fundit nuk kishte marrë pëlqimin nga Ministria e Arsimit për të vazhduar me drejtimin e këtij institucioni arsimor në gjuhën shqipe.
U.d. Xhevat Fejzullahu gjatë mandatit të tij të parë nga kolektivi mbahet në mend për punë efikase. Gjatë udhëheqjes së tij u bë edhe zhvendosja e nxënësve nga barakat në objektin e ri të kësaj shkolle./Titulli.com/
*******************************************************************************************************************************************************
(e enjte)
Nuk ka kuorum për mbledhje, të premten drejtori i ri në “Sezai Surroi”?
Mbledhja e paraparë që të mbahej sot në orën 18:00 e Këshillit të shkollës së vetme shqipe të arsimit të mesëm në komunë të Bujanocit, nuk është mbajtur për shkak të mungesës së anëtarëve të Këshillit.
Burimi e portalit informativ Titulli brenda këtij institucioni arsimor ka pohuar se mbledhja e paraparë për t’u mbajtur të enjten, ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.
Në këtë mbledhje ishte paraparë edhe zgjedhja e ushtruesit të ri të detyrës së drejtori të kësaj shkolle të mesme.
Më herët ushtruesi i detyrës (u.d.) së drejtorit në largim Zejni Fejzullahu nuk kishte marrë pëlqimin nga Ministria e Arsimit për të qenë drejtorë.
Andaj, burimi në fjalë i ka thënë portalit informativ Titulli.com se mbledhja e Këshillit të shkollës që sot nuk arriti të mbahet, nëse do të ketë kuorum do të zhvillohet nesër me fillim në orën 11:00.
Shkolla e mesme “Sezai Surroi” si duket edhe njëherë do të ndërrojë drejtorin e saj në fund të vitit shkollor.
Zejni Fejzullahu këtë institucion arsimor e ka drejtuar për një periudhë më shumë se një vjeçare, nga marsi i viti 2013-të.
Gjatë kësaj periudhe ai u zëvendësua disa herë në këtë detyrë nga zëvendësit e tij. /Titulli.com/